Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kryeministri Berisha përshëndet konferencën ““Hydro solutions for Albania”

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, konferencën mbi zhvillimin e sektorit të hidroenergjisë në Shqipëri, “Hydro solutions for Albania”, e organizuar nga Grupi austriak Andritz Hydro, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sipërmarrjeve vendase e të huaja në fushën e energjisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet më të larta për investitorët austriake, projektet e të cilëve kanë shënuar histori suksesi në shumë fusha, në Shqipëri.
Duke e përcaktuar energjinë sektor prioritar të zhvillimit të vendit, Kryeministri Berisha u ndal në zhvillimet në sektorin e energjisë së rinovueshme, perspektiva dhe potencialet që Shqipëria ka për fuqizimin e këtij sektori, projektet e ardhshme për rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë ujore, në ndjekje të vizionit të Shqipërisë, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon.
Kryeministri theksoi gjithashtu, sistemin fiskal shqiptar ndër më lehtësuesit në Europë, reduktimin e barrës burokratike mbi biznesin dhe investimet, ndërhyrjen më të vogël të administratës ndaj tyre, duke garantuar se qeveria mendon të vazhdojë uljen e mëtejshme të barrës fiskale dhe administrative. Ne, – tha Kryeministri – qëndrojmë prapa parimeve që besojmë dhe ne besojmë se parimet e bazuara në lirinë ekonomike janë ato që ndihmojnë biznesin dhe zhvillimin.
Fjala e Kryeministrit Berisha në konferencë.
“Para së gjithash dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë juve, zoti Drejtor i Përgjithshëm, bashkëpunëtorëve tuaj, për organizimin e kësaj konference për një nga problemet më thelbësore të zhvillimit të vendit, zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe shndërrimin e Shqipërisë në atë që ne e kemi parashikuar si projekt, në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon.
Është një rast për mua të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë investitorët austriakë në Shqipëri, të cilët me investimet e tyre qëndrojnë në krye të suksesit të investitorëve të huaj. Ata zënë një nga vendet më kryesore në këto investime dhe shtrihen në fusha të ndryshme, nga linjat ajrore, banka, hidrocentrale, prodhim turbinash, miniera, industri përpunuese, studio ligjore, hoteleri etj.. Investimet austriake janë një faktor jashtëzakonisht i fuqishëm i zhvillimit të vendit dhe unë dua t’i garantoj investitorët austriakë se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka për klimën më miqësore të mundshme ndaj bizneseve të tyre. Ne jemi të vetëdijshëm se vendimi për të investuar në një vend është para së gjithash, çështje besimi e guximi ndaj atij vendi e kombi. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare qëndron e vendosur për të bërë gjithçka që projektet tuaja, sikundër gjer më sot, të jenë një histori e vërtetë suksesi.
Ne kemi ecur sëbashku, me vendosmëri, drejt zvogëlimit gjithnjë e më të madh të ngarkesave e barrierave burokratike mbi biznesin. Sot, Shqipëria ka një prej 10 qeverive më dorëshkurtër ndaj biznesit. Unë ju garantoj se ne do të bëjmë çdo gjë, për ta shkurtuar edhe më tej ndërhyrjen qeveritare, administrative në drejtim të biznesit. Kohët e fundit, ne po implementojmë një seri reformash jashtëzakonisht të rëndësishme, në veçanti, reforma e inspektorateve që do të reduktojë në mënyrë drastike kohën që ju humbisni nga inspektoratet e panumërta, duke i reduktuar ato nga 36 në 11, si dhe duke reduktuar ditët e tyre nga 45 ditë në vit që janë sot, në 11.  
Ne po bëjmë gjithçka të konsolidojmë më tej Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve. Kjo Qendër funksion sipas modeleve teknologjike më të avancuara në botë. Aplikuesi ka të gjitha mundësitë që në portalin e saj të gjurmojë dokumentet e tij, në çdo hallkë të burokracisë shtetërore. Ne qëndrojmë sot, qartësisht 5 përqind mbi mesataren e vendeve të zhvilluara të klubit të OECD-së, për sa i përket investimit ndërsektorial; jemi 27 përqind më lart se mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD-së për regjistrimin e biznesit; qëndrojmë të 14-t, më lart se mesatarja e OECD-së, për garantimin e investimeve të huaja. Sërish ka hapësira për t’i përmirësuar dhe ne do të bëjmë çdo gjë, për të lehtësuar barrën burokratike mbi ju.
Në një kohë krize, kur në tërësi kancelaritë flasin për rritje taksash, ju nuk do mund ta dëgjoni ketë, ndonjëherë, nga kjo qeveria. Sot, ne kemi sistemin fiskal ndër më të ulëtit në Europë. Unë ju garantoj se qeveria, ekipi i saj po mendon se si të vazhdojë uljen e mëtejshme të tyre. Ne qëndrojmë prapa parimeve që besojmë dhe ne besojmë se parimet e bazuara në lirinë ekonomike janë ato që ndihmojnë biznesin dhe zhvillimin. Vetëm pak vite më parë, në rast se ju i referoheni këtij treguesi, Shqipëria renditej e 83-të në botë dhe me shpejtësi, brenda katër viteve, ajo ka zbritur në vendin e 12-të në botë, për lirinë ekonomike. Ne jemi të vendosur ta zgjerojmë atë, si kushtim më kryesor për të nxitur iniciativën e lirë. Ne jemi larg të qenit të përsosur, por jemi të vendosur të punojmë çdo ditë për përsosmërinë e mjedisit ekonomik, mjedisit të investimeve, mjedisit të tregut.
Të nderuar investitorë, ka qenë ky model ekonomik që ka bërë që Shqipëria t’i rezistojë krizës më të ashpër që Europa ka njohur 80 vitet e fundit; ka qenë ky model, i bazuar në liritë ekonomike, që ka bërë të mundur që katër vitet e fundit, Shqipëria të ketë një rritje ekonomike, sipas Komisionit Europian, 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit; ka qenë ky model që ka bërë të mundur që vendi im, në vitet 2009-2011 të dyfishojë eksportet e tij; ka qenë ky model që ka bërë të mundur që Shqipëria, sipas UNCTAD, të rrisë në periudhën 2007-2011, me 316 përqind investimet e huaja; ka qenë dhe është ky model që bëri të mundur edhe këtë vit, në analizën e përgjithshme 8 mujore, shitjet të rezultojë me 15 përqind rritje.
Zonja dhe zotërinj,
Në perspektivën e investimeve të huaja ka edhe një faktor tjetër lehtësues madhor. Qeveria shqiptare është një prej 10 qeverive dhe administratave më të vogla të planetit. Ky zvogëlim nuk është i rastit, por vjen nga besimi ynë se një barrë e rëndë burokratike mbi shpatullat e biznesit do mund ta gjunjëzojë atë, siç ka ndodhur në vende të tjera. Para se të vija këtu, në mëngjes po lexoja një artikull të një publicisti jo dhe aq dashamirës, i cili numëronte fakte, me të cilat donte të argumentonte se në Shqipëri gjithçka po kalon tek privati, se shteti po zhduket dhe se kjo është një moto e Friedmanit, e cila, thotë ai, nuk pati sukses të vërtetë. Ne do të bëjmë gjithçka që shteti të jetë gjithnjë e më i vogël dhe ju të jeni më të mëdhenj, sepse unë besoj në atë parim që për herë të parë e kam lexuar tek ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Ronald Regan, i cili thotë se paratë në kontot e qytetarëve dhe privatëve janë shumë herë më të vlefshme se në kontot e qeverisë. Tani sapo u ktheva nga një komunë afër Tiranës. U gëzova shumë, kur në atë komunë gjeta një fakt jashtëzakonisht pozitiv: 50 përqind  e sistemit arsimor të komunës ishte privat. Ne i kemi të hapura shkollat publike dhe po ndërtojmë e rindërtojmë me vendosmëri të madhe shkolla të reja. Por në atë komunë sektori privat kishte ndërtuar shkolla më shumë, sesa sektori publik. Aty funksiononin 4 universitete private, tre gjimnaze private, katër shkolla 9 vjeçare private, pa llogaritur kopshtet. U ndala në këtë aspekt për t’ju dëshmuar se ne besojmë shumë në iniciativën e lirë, gjeninë krijuese të qytetarit të lirë.
Kjo është historia jonë e qëndrimit ndaj energjisë së rinovueshme. Ne jemi vend i pasur në burime ujore, një lloj Norvegjie e vogël në Ballkan. Mbi 30 vjet, deri në vitin 2007, nuk ishte ndërtuar qoftë një hidrocentral i vetëm në këtë vend. Me një grup të vogël ekspertësh, por njerëz që besojnë se ne mund ta shndërrojmë këtë vend në një prodhues të madh e të rëndësishëm për rajonin, të energjisë ujore. Dhe sot ne kemi firmosur me sektorin privat 120 kontrata, për ndërtimin e mbi 332 hidrocentraleve. Nesër inaugurojmë sëbashku veprën më të bukur të energjetikës sonë, të teknologjisë më moderne, hidrocentralin e Ashtës, njëherësh një kryevepër e mbrojtjes dhe respektimit të mjedisit. Unë ftoj shoqërinë civile dhe grupet e mjedisit të vijnë nesër apo kur të duan ta vizitojnë dhe të konstatojnë se cili ka qenë qëndrimi i qeverisë dhe kompanisë për mbrojtjen e mjedisit. Rikujtoj se në tenderimin e viteve ‘95-’96, kapacitetet prodhuese të hidrocentralit ishin parashikuar rreth 120-140 megavat, por, natyrisht, përbënte një lëndim madhor të mjedisit. Sot, ato janë ulur, por ky hidrocentral ka të gjitha veprat, për të respektuar tërësisht florën, faunën dhe peshqit nga thellësia e detit ngjiten me lehtësinë më të madhe, në kanalet e tij. 
U ndala në këtë vepër madhore që inaugurojmë nesër, por ndërkohë janë mbi 70 hidrocentrale të tjerë të ndërtuar dhe rindërtuar, të cilët sëbashku me Ashtën përbëjnë një kapacitet prej 125 megavat. Vitin që vjen fillon projekti ndofta më i madh energjetik në ndërtim në Europë, kaskada e Devollit, me rreth 1 miliardë euro investime, për të cilën kompania e njohur austriake EVN së bashku me kompaninë e njohur norvegjeze Statkraft kanë një kontratë të përbashkët për realizimin e saj.
Për ne, energjia mbetet përparësia më madhore. Ne jemi shumë të nderuar që kompanitë austriake po dëshmojnë në mbarë vendin, interes të madh, për të investuar në këtë fushë dhe unë i garantoj se investimet dhe projektet e tyre kanë vlerësimin më të madh nga qeveria ime.

energjia.al, 17.09.2012